Simpoziumi “100 vjet shtet Shqiptar”


100-vjet-pavaresi

14. 09. 2012

Në kuadrin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë Këshilli i pakicës kombëtare shqiptare të qytetit të Zagrebit me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, më 5 qershor 2012, në Shtëpinë e Gazetarëve në Zagreb, organizoi simpoziumin “ 100 -vjet Shtet Shqiptar”. Merrnin pjesë personalitete shqiptare dhe kroate si, ambasador i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, Pëllumb. Qazimi; ish-presidenti i Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiq, ish-presidenti i Republikës së Shqiperise, dr. Alfred Moisiu; shefi i Departamenit për promovimin e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore, marrëdhëniet me pakicat kombëtare, komunitetet fetare dhe shoqërine civile te Bashkise se Zagrebit, mr.sc.Miro Laco dhe këshilltari juridik i ketij departamenti, Željko Zaninović; kryetari i Këshillit për pakica kombëtare në Kroaci, Aleksandar Tolnauer; zv/ambasadori i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Brian Hoyt Yee; përfaqësuesi i Xhamisë së Zagrebit, Hafiz Aziz Alili; profesorët e nderuar A. Stipčević dhe Zef Mirdita; përfaqësuesë të këshillave dhe shoqatave shqiptare të Kroacisë, si dhe përfaqësues të këshillave te pakicave kombëtare të Zagrebit.

Simpoziumin e drejtoi Dorotea Kerni, ndërsa fjalën e hapjes dhe përshëndetjet i mbajtën :

• Kryetari i Këshillit dr. Gzim Rexhepi, i cili i uroi mirëseardhje të ftuarve, ligjëruesve dhe gjithe të pranishmëve që ndodheshin në sallë.

• Ish-presidenti i Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiq;

• Përfaqësuesi i Bashkisë së Zagrebit, mr.sc. Miro Laco;

• Ambasador i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, Pëllumb Qazimi, i cili përshëndeti organizatorët për këtë simpozium shkencor që i bën jehonë historisë së shtetit shqiptar 100 vjecar.

Ligjëruesit e simpoziumit::

• Ish-presidenti i Shqipërisë, dr. Alfred Moisiut mbajti kumtesen me temë: „ 100 vjet Pavarësi e Shqipërisë“, ku theksoi se shpallja e Pavarësisë bën pjesë në ato ngjarje që shënojnë etapa në procesin historik.

• Drejtori i Institutit të Historisë së Shqipërisë, akademik Beqir Meta në kumtesën e tij me temë „Diaspora shqiptare dhe fillimet e shtetit shqiptar” dha një pasqyrë historike të kontributit të organizatës „Vatra” si organizata më e fuqishme dhe më jetëgjatë e diasporës

• Shefi i Departamenitit të historisë për periudhën e pavarësisë në Institutin e Historisë të Shqipërisë ass. akademik Marenglen Verli në kumtesën me temë “Çështja e Kosovës dhe stabiliteti i shtetit shqiptar” bëri një analizë kronologjike se si janë ndërthurur zhvillimet në Kosovë dhe në Shtetin Shqiptar prej 17 dhjetorit të 1912.

• Udhëheqësi akademik i Universitetit “FON” të Gostivarit, prof. dr. Zeqirja Idrizi në kumtesën e tij me temë “Derrallët dhe roli i Mehmet Pashe Derrallës në shpalljen e pavarësisë“ dha një përmbledhje të shkurtër të rolit dhe veprës së madhe te patriotit, intelektualit, strategut ushtarak, politikanit dhe ministrit të parë shqiptar të Mbrojtjes Mehmet Hasan Derrallës.

• Prof. dr. Muhamet Shatri, ish-punonjës shkencor i Institutit të Historisë të Kosovës në referatin e tij me temë „Vështrim i shkurtër mbi Shqipërinë dhe shqiptarët nga fundi i sundimit otoman” argumentoi me fakte historike shtrirjen reale të tokave shqiptare, ndarjen administrative, përbërjen e popullsisë deri në fund të vitit 1912, duke cituar dhe përkufizimin e ideologut dhe shkencëtarit Sami Frasheri për shtrirjen e Shqipërisë etnike në Ballkan.

Tingujt e kitarës së nxënësit L. Peretić të shkollës së muzikës ”Pavla Markovca” e bënë edhe më të këndshëm këtë simpozium, interesi i pjesëmarrësve sidomos i studentëve për të dëgjuar fakte të reja historike në lidhje më këtë ngjarje ishte i veçantë. Madje, këshilltari juridik i Departamenit të Bashkisë, Željko Zaninović shprehu komplimentet e tij për simpoziume të këtij niveli dhe theksoi se, ato kanë vlera historike dhe kulturore jo vetëm për shqiptarët, por edhe për kroatët pasi atyre ju jepet mundësia të njohim më shumë historinë e popullit shqiptar.

Krenohemi që vargut të ngjarjeve kulturore që po zhvillohen për nder të 100-vjetorit te Pavarësisë kudo, në Shqipëri, në diasporë dhe në Kroaci iu shtua edhe ky simpozium shkencor. Historianët e nderuar, ligjëruesit e këtij simpoziumi shprehën falenderimet e tyre të sinqerta për mikëpritjen tonë dhe stafit organizativ te Keshillit vlerësime të veçanta për nivelin e lartë profesional.

Aktivitete të radhës


Ta njohim vetën