Promovohet në Zagreb romani “Otello, Arapi i Vlores” i shkrimtarit Ben Blushi


ben blushi zagreb

24. 10. 2015

Në ambientet e Klubit të Shkrimtarëve Kroatë, në Zagreb, më 23 tetor 2015, Kordinacioni i Këshillave dhe Përfaqësive të Pakicave Kombëtare të Qytetit të Zagrebit në bashkëpunim me Këshillin e Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit te Zagrebit dhe Shoqatën e Shkrimtarëve Kroatë, organizuan mbrëmjen letrare me shkrimtarin Ben Blushi, fitues i Çmimit të Bashkimit Europian të Letërsisë për librin” Otello, Arapi i Vlorës”.

Në mbrëmjen letrare përshëndetën: Raško Ivanov, zvkryetar i Koordinacionit të këshillave dhe përfaqësive të pakicave kombëtare të Zagrebit dhe Shuip Ziberi, kryetar i Këshillit të pakicës kombëtare shqiptare të qytetit të Zagrebit, ndërsa për librin folën znj. Valbona Nathanaili, UET Press, znj. Ivana Simić Bodrožić, shkrimtare e përfaqësuese e Shtëpisë Botuese Kroate Ljevak, e cila do të botojë në kroatsht romanin “Otello, Arapi i Vlorës”, si dhe vetë autori Blushi.

Shkrimtari Blushi iu përgjigj pyetjeve të lexuesve, duke treguar se si i lindi idea për personazhin Otello të shekullit të 21, tregoi rrugëtimin e Otellos që nga Venediku e deri në Vlorë, duke theksuar se Otello i tij është i veçantë dhe i ndryshëm nga Otello i Shekspirit, ndonëse të dy kanë të njëjtin fund. Shkrimtari Blushi nëpërmjet paralelizmit tregoi se fati i Otellos është fati i mijëra emigrantëve që paragjykohen e përbuzen nga shoqëritë europiane. Fragmente nga romani në kroatisht dhe në shqip u interpretuan nga aktorët Doris Šarić Kukulica dhe Leonard Hamitaj. Shkrimtari Blushi është autori i tretë, pas Ismail Kadaresë e Visar Zhitit, që vepra e tij po përkthehet në kroatisht. Romani “Otello, Arapi i Vlorës” po përkthehet në shtatë gjuhë të huaja.

Shkruan: M.O.