Recitali “Kur fjalët i merr era”


kur fjalet i merr era

12. 12. 2015

Më 11 dhjetor 2015, në sallën e Teatrit të Kukullave të Zagrebit Shoqata Teatrale Shqiptare “MËRGIMTARI” në bashkëpunim me Këshillin e Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit prezantoi me sukses për publikun recitalin me titull “Kur fjalët i merr era”, me vepra të autorëve shqiptarë dhe botërorë. Recitali nën regjinë e Leonard Hamitaj ishte një gërshetim i artit të fjalës me muzikën e kompozitorëve shqiptarë e botërorë. Nëpërmjet monologëve satirikë te autorëve Ali Asllani, Naim Frashëri e Dritëro Agollit interpretuesit Leonard Hamitaj e Mafis Zendeli prekën temat politik-sociale te shoqërisë shqiptare, ndërsa me poezitë liriko-epike të autorëve: Din Mehmeti, Asdreni, Nehat Jahiu, Dritëro Agolli, Pashko Vasa dhe Omar Khajamit të rinjtë Leonida Kushnini, Agnesa Smakiqi, Krenar Kadriju sollën ngjyra historie, ngjyra jete, ngjyra dashurie, ngjyra të vërteta shqiptare.

E veçanta në këtë recital ishte paraqitja e fragmentit nga vepra “Rubairat” e autorit me famë botërore Omar Khajam e përkthyer në gjuhën shqipe nga rilindasi Fan Noli. Risjellja në skenë e krijimtarisë më të mirë të letërisë shqiptare nga Shoqata Teatrale Mërgimtari për herë të tretë në këtë performancë është konfirmimi që, poezia e poetëve tanë mbetet sot një burim frymëzimi e krenarie per gjeneraten e re. Në recital morrën pjesë edhe kitaristët e rinj të sukseshëm Lucija Štivčević e Antonio Kolovrat, fitues të disa çmimeve dhe tani afër në dhjetor 2015, u vlerësuan me çmim në Konkursin e 53-të Kombëtar të Kroacisë të Muzikës së Dhomës për nxënësit e studentët e muzikës, të cilët në recital për publikun sollën pjesë muzikore të autorëve botërorë si:Ulrich Wedlich,F. Mompou e Alexis Rago nën drejtimin e profesorit Xhevdet Sahatxhija.

Shkruan M.O.