Ekspozite fotografike e veshjeve popullore “Etnokultura – Tradita nder shekuj”


tradita-nder-shekuj

13. 11. 2012

Ekipi i Bora fashion nga Kosova, i ftuar nga Këshilli i pakicës kombëtare shqiptare të qytetit të Zagrebit, më 7 nëntor 2012 hapi një ekspozitë fotografike të fotografit dhe dizajnerit të njohur Shkëlzen Rexha dhe sfilatë mode me veshje popullore shqiptare, koleksion unikat i etnologes Bore Balaj. Stafi i Bora fashion shoqërohej nga përfaqësuesit e televizionit TV SYRI të Kosovës.

Ky ekip vizitën e parë e filloi më 6 nëntor, në Dverce Palace, në Zagreb, ku ishte i ftuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb në takimin e komunitetit shqiptar të Kroacisë me Shkëlqesinë e tije, kryeministrin e Republikës së Kosovës, zotin Hashim Thaçi, i cili ndodhej në Zagreb në kuadrin e një vizite zyrtare. Mund te them se fotografi Shkëlzen Rexha e filloi punën, duke fiksuar me objektivin e tij çaste të mrekullueshme të këtij takimi.

Në ketë takim merrnin pjesë personalitete kroate si kryetari i Bashkësisë se Zagrebit, zoti Milan Bandić, kryetari i Këshillit bashkiak, zoti Davor Bernardić, personalitete shqiptare si ambasadori i Republikës së Shqipërisë, zoti Pellumb Qazimi, ambasadori i Republikes së Kosoves, SH.T., zoti Valdet Sadiku, kryetari i Keshillit te pakices kombetare shqiptare te qytetit të Zagrebit, dr. Gzim Rexhepi, kryetarë të tjerë të këshillave dhe shoqatave shqiptare të Kroacisë

Më 7 nëntor, në orën 18:00, në sallën e koncerteve të V. Lisinski, në Zagreb për nder të vizitës së parë të kryeministrit të Kosovës u hap ekspozita fotografike e veshjeve popullore të Shkëlzen Rexhës sipas idesë së Bora Balaj dhe sfilata me veshje popullore shqiptare – koleksion i etnologes Borë Balaj. Organizatorë të këtij eventi ishin Ambasada e Republikës së Kosovës, Këshilli i pakicës kombëtare shqiptare të qytetit të Zagrebit dhe shoqata e grave shqiptare të Zagrebit „Drita“.

Kjo ceremoni filloi me përshëndetjet e rastit, duke vazhduar me sfilatën, në të cilën u paraqitën 12 veshje të krahinave shqiptare nga studentë të Zagrebit. Gjatë kohës së sfilatës zonja Bore Balaj me profesionalizëm bëri prezantimin, duke treguar se kujt krahinë i përkasin dhe moshën e çdo veshjeje. Gjatë kohës së sfilates u paraqit dokumentari: „Si punohet veshja tradicionale shqiptare“ prodhim i Bora fashion, me regjisor dhe kameraman Gzim Arifi.

Më pas fjalën e mori zoti Shkëlzen Rexha duke treguar se si ka udhëtuar kjo ekspozitë në një serë vendesh të Evropës, si Zvicër, Shqipëri e të tjerë dhe se qëllimi i saj është qe jo vetëm shqiptarët, por edhe popujt e tjerë të njohin veshjet tona, traditën tonë të çmuar shqiptare. Fotografitë e punuara me përsosmëri e profesionalizëm të ekspozuara ne panelet e kësaj salle tërhoqën vëmendjen e shikuesve shqiptarë e kroatë.

Madje, përfaqësuesi i zyrës për arsim dhe kulturë të Bashkisë së Zagrebit, zoti Tedi Lušetić në fjalën e tij tha se „ky event shpalos kulturën e popullit shqiptar dhe nuk është rastësi që mbahet në një salle koncertesh, në të çilen kanë dhëne koncerte artiste me fame boterore“.

Dhe për ketë merite te veçante ka kryetari i Bashkisë së Zagrebit, zoti Milan Bandić, i cili mundësoi sigurimin e kësaj salle.

Kontribut të veçante dhe një pune kolosale për organizimin e kësaj ekspozite ka kryetari i Keshillit shqiptar te Zagrebit dr. Gzim Rexhepi si dhe, stafi i përbërë nga M. Orešković, Lili Koci, Avni Osmani dhe M. Imeri.

Aktivitete të radhës


Ta njohim vetën