Akademi solemne me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë


nene-tereza

14. 10. 2010

Vargut të ngjarjeve kulturore, kushtuar 100-vjetorit të nobelistes Nënë Terezë, iu shtua dhe Akademia solemne, e cila u mbajt në Zagreb, në sallën „ Vijenac“, më 16 tetor 2010, nën drejtimin e organizatorëve: Misionit katolik shqiptar në Kroaci, Këshillit të pakicës kombëtare shqiptare të qytetit të Zagrebit dhe Unionit të bashkësive shqiptare në R. e Kroacisë.

Në këtë akademi, morrën pjesë personalitete si: Ambasadori i R. Shqipërisë shkëlqesia e tij, z. Pëllumb Qazimi, mns. Zef Gashi arqipeshkëv i Tivarit, dr. Don Lush Gjergji, prof. Aleksader Stipčević, prof. Zef Mirdita, kryetari i Unionit të bashkësive shqiptare në Kroaci z. Ton Marku dhe sekretari i këtij Unioni z. Riza Hoxha si dhe përfaqësues të tjerë të shoqatave shqiptare të Kroacisë.

Akademia u hap me këngën “Nënë Terezës”, kompozuar nga B. Mjeda dhe u interpretua nga kori i Misionit.

Fjalën e hapjes e mbajti Don Agim Qerkini, udhëheqës i Misionit katolik shqiptar në Kroaci dhe më pas përshëndeti këtë akademi mns. Zef Gashi, arqipeshkëv i Tivarit. Ndërsa, në emër të organizatorëve përshëndeti dr. med. Luigj Daka, kryetar i Këshillit të pakicës kombëtare shqiptare të qytetit të Zagrebit, ku dhe i uroi akademisë punë të mbarë.

Punimet e Akademisë i drejtoi dr. Don Lush Gjergji, i cili mbajti dhe kumtesën me temë: “ Jeta dhe vepra e Nënë Terezës”

Prof.dr. Edi Shukriu mbajti kumtesën me temë: “Nëna Terezë, ambasadore e paqes-Krenari kombëtare”, ku doli në pah bamirësia e kësaj Nëne, e cila i ka rrënjët në kulturën e kombit tonë.

Akademia vazhdoi me kengën kushtuar Nënë Terezës, kompozuar nga V. Gjini dhe u këndua nga L. Mjeda. Don Pren Kola mbajti kumtesën me temë: “Lutja, pjesë përbërëse e jetës së Nënë Terezës”, ku vuri në dukje se misioni i saj ishte mendja dhe zemra njerëzore.

Me kënaqësi dëgjuam kumtesën e dr. Resmije Kryeziut me temë: “Nëna Tereza në letërsinë shqipe”, ku ëdoli në pah, se krijuesit në letërsi kanë përjetësuar artistikisht veprën dhe botën shpirtërore të Nënë Terezës, pasi përmes artit ato bëhen më jetëgjatë, bëhen të përjetshme.

Akademia u mbyll me vargjet e poezisë se Nënë Terezës: “Lamtumirë” dhe këngës “ N’Cërnagore e kem një nanë”, të interpretuar nga kori i Misionit.

Më pas pjesëmarrësit u shoqëruan në një koktej rasti.

Kjo Akademi, jo vetëm që tregoi mirënjohjen tonë për këtë figurë të madhe të botës shqiptare e gjithë njërëzimit, por dhe iu shtua serisë së manifestimeve të organizuara në Zagreb, të cilat paraqesin kontributin e komunitetit tonë në ruajtjen dhe pasurimin e identitetit tonë kombëtar shqiptar.

Aktivitete të radhës


Ta njohim vetën